Mobile 1: +383 (0) 44 31 82 82
Drejtshkrimori 2.0

Drejtshkrimori 2.0

Nëse shkruani shqip, tash është koha për t’u thënë lamtumirë gabimeve drejtshkrimore. Ju ofrojmë programin për drejtshkrim AS 2.0, që është një pako profesionale softuerike, e dizajnuar në veçanti për gjuhën shqipe. Ky program përcakton mënyrën më të mirë të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. AS 2.0 është një vegël e domosdoshme për përdoruesin, që i siguron atij të gjitha shkathtësitë e nevojshme për ta kryer punën me sukses.
 
Veçoritë e AS 2.0 
 
Është në pajtim me të gjitha versionet “Microsoft Office”
Përmban më shumë se 2 milionë trajta të fjalëve të gjuhës shqipe
Korrigjimi automatik
Mundësia e shtimit të fjalëve të reja
Doracaku për përdoruesin
 
Bazuar në teknologjinë më të përparuar të kësaj fushe, ne, gjithnjë në mënyrë aktive, studiojmë mënyrat teknike për të arritur shkallën më të lartë të cilësisë së produkteve tona, ndërsa shfrytëzuesit e tyre, çdo ditë e më shumë, na dërgojnë letra përkrahjeje. 
Programi kompjuterik për drejtshkrim në gjuhën shqipe AS 2.0, tashmë në përdorim nga qindra mijëra shfrytëzues, konsiderohet një domosdoshmëri për mënjanimin e shumë gabimeve drejtshkrimore. AS 2.0 mbulon mbi 99 % të leksikut të gjuhës shqipe dhe ka përballuar me sukses testet për saktësi gjuhësore. Sigurisht, nuk mund të thuhet se puna për këtë softuer është mbyllur përfundimisht. Programi në vazhdimësi do të pasurohet, jo vetëm me fjalë e trajta të reja, por dhe me komponentin sintaksor e sinonimik. 
 
Çfarë përmban? 
 
Programi përmban një fjalës prej mbi 150 000 fjalësh, të cilat, në varësi të kategorisë së cilës i përkasin, arrijnë në mbi 2 300 000 trajta të papërsëritshme fjalësh. 
Krahas trajtave dhe formave që dalin gjatë lakimit dhe zgjedhimit të emrave, mbiemrave, përemrave, numërorëve e foljeve, si dhe të pjesëve të pandryshueshme të ligjëratës (ndajfoljet, parafjalët, lidhëzat, pjesëzat e pasthirrmat), në program janë përfshirë dhe: 
Trajta me ç’:
Dhjetëra mijëra trajta me ç’ të emrave dhe të mbiemrave në rasën emërore njëjës e shumës të pashquar, p.sh. ç’detyra, ç’ditë, ç’fjalë, ç’muzikë, ç’pushime, ç’punë, ç’vajza, ç’absolut, ç’inteligjent etj. 
Dhjetëra mijëra forma me ç’ të foljeve në kohën e tashme, të pakryer e të kryer të thjeshtë të mënyrës dëftore, p.sh. ç’bëre, ç’diskutuam, ç’flitet, ç’këndove, ç’lexoje, ç’more, ç’prishe, ç’punoje, ç’shkruan, ç’thua etj. dhe në kohën e tashme e të pakryer të mënyrës habitore, p.sh. ç’kërkuakam, ç’lexuakeni, ç’marrkësha, ç’punuakëshe etj. 
 
Qindra mijëra forma foljore me pjesëzën mohuese s’ në të tashmen, të pakryerën dhe të kryerën e thjeshtë të mënyrës dëftore, p.sh. s’kërkoj, s’pres, s’dola, s’flihet, s’merrej, s’punojnë, s’flet, s’fituam, s’bleva, s’arritën etj. dhe në të tashmen e të pakryerën e mënyrës habitore, p.sh. s’dëgjuakeni, s’kërkuakam, s’punuakësha, s’qëndruakan, s’vënkemi etj. 
Qindra mijëra numërorë me trajtat që marrin kur lakohen si numërorë themelorë dhe rreshtorë në të dyja gjinitë, p.sh: dy, të dy, të dyve, të dyja, të dyjave, i dytë, i dyti, e dyta, të dytët, të dytat etj.
 
Janë plotësuar gjithashtu ndërtimet e tipit: 
 
njëvjeçar, dhjetëvjeçar, njëqindepesëdhjetëvjeçar etj.
dykatësh, dhjetëkatësh, pesëdhjetëkatësh;
pesëminutësh, dhjetëminutësh, tridhjetëminutësh etj.; 
dyorësh, njëzetekatërorësh, dyzetetetorësh etj.;
njëditor, dyditor, dhjetëditor etj.;
dyshekullor, pesëshekullor, dhjetëshekullor etj.
njëdhomësh, dydhomësh, katërdhomësh etj.;
dygjuhësh, katërgjuhësh, pesëgjuhësh etj.;
pesëdhjetëmetërsh, dyqindmetërsh, njëmijëmetërsh etj.
katërmuajsh, nëntëmuajsh, njëzetekatërmuajsh etj.
njëshifror, pesëshifror, tetëshifror etj.
njëokësh, dyokësh, pesokësh etj.
njëdimensional, dydimensional, tredimensional
dybitësh, tridhjetedybitësh, njëqindenjëzetetetëbitësh etj.
katërjavësh, nëntëjavësh, dymbëdhjetëjavësh etj.
dyinçësh, pesinçësh, dhjetinçësh etj.
fletësh (njëfletësh, pesëfletësh), -fish (dyfish, dhjetëfish), -faqësh (gjashtëfaqësh, nëntëfaqësh), -këndësh (katërkëndësh, pesëkëndësh) -dhëmbësh (dydhëmbësh, tetëdhëmbësh), -rrokësh (dyrrokësh, shtatërrokësh) etj.
 
 
Çfarë ofron? 
Programi bën mbi 5 milionë korrigjime automatike për gabime të llojeve të ndryshme. Këto korrigjime automatike mund t’i grupojmë në korrigjime të gabimeve që ndodhin për shkak të njohurive jo të mira gjuhësore dhe në korrigjime të gabimeve që ndodhin për shkak të shpejtësisë së shkrimit. 
Top