Me zhvillimet e vrullshme të teknologjisë informatike, si dhe me shtrirjen e përdorimit të kompjuterit e të internetit thuajse në të gjitha fushat e veprimtarisë së shoqërisë, ka lindur natyrshëm edhe nevoja për përpunimin dhe njësimin e terminologjisë së kësaj fushe bashkëkohore të shkencës dhe të teknikës edhe në gjuhën shqipe.
Fjalori shpjegues i termave të informatikës, një fjalor dygjuhësh me 3000 terma nga kjo fushë, synon të jetë një mjet pune për një rreth shumë të gjerë përdoruesish, në radhë të parë për specialistët e fushës, si edhe për studentët, përkthyesit dhe për të gjithë ata që merren me teknologjinë e informacionit. Ai është një fjalor shpjegues dykahësh: anglisht – shqip – anglisht. Termat e përfshirë në këtë fjalor janë kryesisht nga këto nënfusha: Informatika si shkencë dhe teknologji, Hardueri dhe Softueri, Rrjetet kompjuterike, Gjuhët e programimit, Interneti dhe aplikacionet e tij etj.
Puna për hartimin e këtij fjalori ka qenë e lidhur ngushtë me procesin e lokalizimit të softuerëve të Microsoft-it në gjuhën shqipe: të Windows-it (Windows XP, Windows Vista, Windows 7) dhe të Office-it (Office 2003, Office 2007, Office 14), nismë kjo e ndërmarrë nga Qendra për Edukim dhe Përparim (QEP, Prishtinë) në korrik të vitit 2004. Paralelisht me lokalizimin e softuerëve të ndryshëm të rëndësishëm, u krijua një bazë të dhënash për termat kompjuterikë, e cila, sidomos dy vitet e fundit (2009-2010) erdhi duke u plotësuar dhe përmirësuar: u shtuan terma të rinj, termat ekzistues u plotësuan me kuptime të reja që kanë fituar ndërkohë dhe secili term u pajis me shpjegimet përkatëse. Për këtë, krahas termave në anglishte, që tashmë konsiderohet si lingua franca në këtë fushë, gjatë këtij procesi kemi pasur qasje edhe në përvojat e hartimit të fjalorëve të gjuhëve të tjera, si italisht, anglisht, frëngjisht, kroatisht etj. Për këtë është përdorur dhe baza e të dhënave në portalin e gjuhës të sajtit zyrtar të Microsoft-it, një bazë të dhënash për më shumë se 80 gjuhë, që mund të shfrytëzohet nga partnerët për lokalizime, përkthime e studime të ndryshme. Sigurisht që gjatë punës janë pasur parasysh dhe zgjidhje që ofrohen nga fjalorë të mëhershëm, qofshin ata të përgjithshëm apo specialë.
Që në fillim të punës për projektin e lokalizimit të MS Windows XP-së në gjuhën shqipe, u formua një ekip në shkallë kombëtare, ku bënin pjesë Lulëzim Shishani (drejtuesi i projektit), Adelina Çerpja, Anila Çepani, Emil Lafe, Enver Hysa (gjuhëtarë); Vehbi Neziri, Gudar Beqiraj, Betim Çiço, Neki Frashëri (informatikanë); Fitore Muçolli, Zinaide Kuqi-Gruda, Jeta Rugova-Plakolli (përkthyes); herë pas here bashkëpunuan edhe forca të tjera.
Pas një pune sistematike, u hartua fjalësi me 2000 termat më të përdorur në dy softuerët kryesorë në botë, MS Windows dhe MS Office, por, edhe të softuerëve të tjerë, si: Google, Yahoo, Internet Explorer, Firefox etj. duke përfshirë edhe termat më të përgjithshëm të internetit. Brenda dy vjetësh, me shumë sukses dhe me një cilësi të lartë teknike e gjuhësore u krye puna për lokalizimin e MS Windows XP-së në gjuhën shqipe, nën mbikëqyrjen e Microsoft-it, por, edhe me një bashkëpunim të mirë me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë dhe me Institutin e Informatikës e të Matematikës së Aplikuar (INIMA). Bashkë me përfundimin e këtij projekti u hartua edhe fjalori i termave, si një pjesë e domosdoshme e procesit të lokalizimit. Megjithatë, duke u vështruar ky fjalor (softuerik) si një vepër shumë e rëndësishme, botimi i tij u shty për t’iu nënshtruar një përpunimi e plotësimi të mëtejshëm. Fillimisht u bë një publikim në internet bashkë me një softuer për instalimin e fjalorit. Kështu, termat e fjalorit iu nënshtruan një vlerësimi e diskutimi të gjerë me përdoruesit jospecialistë të informatikës, konkretisht me përdoruesin fundor. Interesimi ishte i madh dhe përdoruesit e shumtë të këtij fjalori me vërejtjet dhe sugjerimet e tyre të dobishme kanë dhënë një ndihmesë me vlerë për plotësimin, saktësimin dhe përmirësimin e tij. Në vazhdim është punuar rregullisht në lokalizimin e softuerëve të tjerë, si: Navision, MS Windows Vista, MS Office 2007 dhe tash së fundmi edhe në MS Windows 7 dhe MS Office 2010. Si rrjedhim, çdo vit ky fjalor është pasuruar dhe sot ka mbi 3000 terma, një pasuri e vërtetë leksikore në fushën e terminologjisë së shkencës së informatikës. Andaj, jo pa emocione, mendojmë se me botimin e këtij fjalori po përmbushim një nevojë të kahershme për një vepër të tillë, sidomos për terminologjinë e Microsoft-it, e cila mbizotëron, por, edhe më gjerë, për terma të tjerë nga fusha e teknologjisë së informatikës.
Njohuri të përgjithshme
Botimi i këtij fjalori ka qenë domosdoshmëri për vetë zhvillimet e mëdha që ka marrë kjo shkencë dhe degët e shumta të saj te shqiptarët gjatë viteve të fundit. Ai shënon një hap të rëndësishëm drejt sistemimit, standardizimit në nivel kombëtar dhe shqipërimit të termave të informatikës, duke zëvendësuar sa herë që është e mundur termat e huaj.
Zgjedhja e fjalësit, si një nga proceset më të rëndësishme në punën për hartimin e një fjalori, u është përmbajtur kërkesave shkencore leksikografike. Nëpërmjet një pune të kujdesshme hulumtuese mbi një material të gjerë u përzgjodhën rreth 3000 terma për këtë fjalor shpjegues në dy gjuhë: në anglishte e në shqipe. Është synuar që, pa cenuar karakterin shkencor të shpjegimeve, ato të jenë sa më të qarta për t’u kuptuar, me fjalë të zgjedhura mirë e me shprehje të kuptueshme, duke shmangur përdorimet e figurshme. Në këtë botim, për të mos e rënduar fjalorin, termat nuk janë pajisur me të dhëna gramatikore, si kategoria e fjalës, mbaresat e eptimit etj. Jemi përpjekur të përfshijmë në këtë fjalor pjesën më të madhe të termave bazë të fushës së informatikës, e cila siç dihet zhvillohet me ritme marramendëse. Termat e përfshirë në fjalor mund të klasifikohen në disa grupe:
a. Terma që kanë hyrë në shqipe bashkë me konceptin dhe që tashmë kanë krijuar një traditë në përdorim. Disa prej këtyre termave janë përshtatur me strukturën fonetike të shqipes, p.sh.:
- font, internet, intranet, modem, monitor, printer, virus etj.;
- faks (fax), kompjuter (computer), kursor (cursor), makro (macro), rezolucion (resolution), skaner (scanner) etj.
Shumë nga këto fjalë nuk kanë mbetur të izoluara në përdorim, por janë përshtatur me strukturën gramatikore të shqipes, duke krijuar dhe familjet përkatëse të fjalëve: printer, printoj, printim, i printuar; skaner, skanoj, skanim, i skanuar; skript, skriptoj, skriptim, i skriptuar etj.
b. Terma që vijnë nga fjalë të leksikut të përgjithshëm, për të cilat fjala përkatëse e shqipes e shpreh më së miri kuptimin e ri të fituar:
adresë (address), aktivizoj (activate), bosht (axis), dokument (document), freskoj (refresh), gjej (find), grafik (graphic), instalim (installation), kategori (category), kuti (box), pres (cut), regjistroj (register), seksion (section), sistem (system), stil (style), thellësi (depth), veprim (action) etj.
c. Terma, të rinj dhe për anglishten, që përgjithësisht nuk gjenden në fjalorë të gjuhës angleze ose gjenden me kuptime të tjera, disa prej të cilëve janë të sajuar ose të krijuar nga bashkime fjalësh prej programuesve, p.sh.: bitmap, emoticon (emotion+ icon), blog (web+log), modem (modulator + demodulator) etj. Këta hyjnë në kategorinë e termave ndërkombëtarë, që janë pranuar si të tillë edhe në gjuhë të tjera. Prandaj janë lënë si në origjinal, duke bërë përshtatjen e duhur grafike atje ku është e nevojshme, p.sh. bitmap, emotikon, blog, modem etj.
d. Disa terma janë emërtime programesh ose produktesh tregtare, të cilat dhe në bazë të së drejtës së autorit nuk përkthehen as në gjuhë të tjera:
Internet Explorer, Office, Outlook, Windows, Windows Media Player, Windows Messenger, WordArt e shumë të tjerë.
e. Shkurtesa të ndryshme që janë standardizuar dhe mbeten të tilla dhe në shqipe, ashtu si dhe në gjuhët e tjera:
ASP (Faqet e serverit aktiv) - ASP (Active Server Pages);
CPU (Njësia qendrore e përpunimit) - CPU (central processing unit)
SQL (Gjuha e strukturuar e pyetësorit) - SQL (Structured Query Language)
WWW (Rrjeti mbarë botëror) - WWW (World Wide Web)
Sipas numrit të fjalëve që përmban një term, ata ndahen në terma njëfjalësh dhe terma disafjalësh.
Termat njëfjalësh
Termat njëfjalësh zënë vendin qendror në terminologjinë kompjuterike, sepse ata përdoren më vete, por dhe si pjesë përbërëse e termave disafjalësh. Këta terma, duke qenë të shkurtër, zënë më pak vend, ndaj përdoren më dendur në menytë, nënmenytë e në dritaret dialoguese të ndërfaqeve të ndryshme, në të cilat hapësira në dispozicion të termit është e kufizuar. Ata mund të jenë fjalë të thjeshta, të prejardhura dhe kompozita.
- Termat njëfjalësh me fjalë të thjeshta
Janë bërë përpjekje që çdo termi njëfjalësh në anglishte t’i përgjigjet një term njëfjalësh në shqipe: allocate - rezervoj; border - kufizues; dock - stacionoj etj.
Por në rastet kur për termin njëfjalësh të anglishtes nuk ka qenë e mundur të gjenim një fjalë të vetme shqipe që ta mbulonte kuptimin përkatës, kemi qenë të detyruar të përdorim terma disafjalësh, kryesisht emërorë, si: drive - njësia e diskut, fuzzing - testim arbitrar, guides - vija udhëzuese, ink - shënim me penë, prompt - shenjë gatishmërie, spam - postë e bezdisshme, stream - transmetim i vazhdueshëm; foljorë, si: crop - pres anët, demote - ul nivelin, flag - shënoj me flamur, locate - gjej vendndodhjen, loop - kryej një cikël, nudge - lëviz ngadalë, promote - ngre një nivel; por edhe ndërtime parafjalore: available - në dispozicion, mute - pa zë etj.
- Terma njëfjalësh me fjalë të prejardhura
Një mënyrë mjaft prodhimtare për dhënien e një koncepti të caktuar, përveçse me terma të thjeshtë që përbëjnë bazën e terminologjisë së çdo gjuhe, është edhe ndajshtesimi. Në fjalor termat e prejardhur zënë një vend të rëndësishëm si në gjuhën burimore, ashtu dhe në gjuhën shqipe. Në përgjithësi, çdo termi të prejardhur të anglishtes i përgjigjet një term gjithashtu i prejardhur në shqipe, por në disa raste edhe një kompozitë: adapter - përshtatës; adjustment - përshtatje; brightness - ndritshmëri; browser - shfletues; enable - aftësoj; remove – largoj; selection - përzgjedhje etj.
Në raste të tjera termat e prejardhur të anglishtes janë dhënë në shqipe me sintagma të ndryshme: capitalization - shkrim kapital; handout - material i printuar; header - koka e faqes; imaging - përpunimi i imazhit; wireless - pa tel; flagged - i shënuar me flamur etj.
- Terma njëfjalësh me kompozita
Është e njohur se në terminologjinë tekniko-shkencore ka një prirje për të përdorur terma kompozita, meqenëse ata, duke pasur dy tema motivuese, kanë ngarkesë të madhe semantike dhe e paraqesin në mënyrë të drejtpërdrejtë nocionin. Por në këtë fjalor kjo kategori termash zë një vend relativisht jo të madh në raport me termat e tjerë njëfjalësh (të thjeshtë dhe të prejardhur), madje pak prej tyre i kanë përgjegjëset në shqipe me kompozita: gateway - portëkalim, spreadsheet - fletëllogaritëse, strikethrough - i mesvijëzuar etj.
Termat disafjalësh janë mënyra kryesore e shqipes për të dhënë termat kompozita të anglishtes: autoshapes - forma të gatshme, clipboard - kujtesa e fragmenteve, gridline - vijat e rrjetës, snapshot - pamja e çastit, toolbar - shiriti i veglave etj.
Pjesa tjetër e kompozitave dalin me terma të prejardhur dhe pak prej tyre me terma të thjeshtë: antialiasing - lëmim, download - shkarkoj, lowercase - jokapital, overlap - mbivendos, overview - shqyrtim, playback - rilexim, nickname - nofkë etj.
Terma disafjalësh
Edhe në terminologjinë kompjuterike krahas termave të thjeshtë janë krijuar njësi emërtuese më të zgjeruara, ku rol parësor luajnë termat njëfjalësh, të cilët shërbejnë herë si element drejtues e herë si element përcaktues te termat disafjalësh. Terma të tillë, si file - skedar, access - qasje, remote - largësi, print - printim, section - seksion, bar - shirit, location - vendndodhje, navigacion - lundrim etj. në bashkëvajtje me terma të tjerë njëfjalësh a fjalë të tjera të leksikut të përgjithshëm krijojnë emërtime terminologjike të pathjeshta, të cilat jepen si njësi më vete në fjalor, p.sh. remote reference - referencë në largësi, remote access - qasje në largësi, log file - skedari i evidencës, file format - formati i skedarit, section break - ndërprerja e seksionit, network drive - njësia e rrjetit; ease of access center - qendra e qasjes së lehtë; printing and imaging devices - pajisjet e imazhit dhe të printimit;; compact disc read-only memory - disk kompakt me memorie vetëm për lexim etj.
Struktura e fjalorit
Siç u përmend më sipër, ky fjalor është dygjuhësh, por dhe dykahësh: anglisht – shqip – anglisht, ku jepen dhe shpjegimet përkatëse për çdo term. Ai është i organizuar në dy pjesë: në pjesën e parë janë vendosur sipas rendit alfabetik termat në gjuhën angleze, të pasuar nga termi në gjuhën shqipe dhe shpjegimi i tij po në shqipe; në pjesën e dytë janë dhënë sipas rendit alfabetik termat në gjuhën shqipe, të shoqëruar nga termi përkatës në anglishte dhe shpjegimi i tij po në anglishte. Kjo mënyrë e dhënies së termave dhe e shpjegimeve të tyre lehtëson punën e përdoruesit të fjalorit gjatë kërkimit të një termi të caktuar, duke iu referuar sipas alfabetit njërës prej gjuhëve. Termat e të dyja gjuhëve jepen me shkronja të zeza e të ndara me vizë nga njëri-tjetri, për të qenë më të dallueshëm nga shpjegimet përkatëse.
Përveç termave që kanë një kuptim të vetëm, në fjalor gjenden dhe terma që kanë më shumë se një nuancë kuptimore, madje ndonjëherë deri në 5 të tilla. Këto nuanca nuk janë aq të largëta sa të ndahen si zëra më vete dhe nuk janë aq të afërta sa të ndahen vetëm me pikëpresje. Ndaj në këtë fjalor, nuanca të tilla kuptimore janë dhënë brenda një termi, por të ndarë me paragrafë të veçantë.
Përbërës
Një objekt i vogël binar ose program i cili kryen një funksion të veçantë dhe është dizajnuar në mënyrë të tillë që të operojë lehtësisht me përbërësit dhe aplikacionet e tjera.
Pjesë e një pajisjeje.
Në përgjithësi, një njësi modulare e kodit që vepron si pjesë e një sistemi apo strukture më të madhe. Për COM-in, një njësi e kodit e ndërtuar për të shpërndarë një bashkësi të mirëpërcaktuar shërbimesh përmes ndërfaqeve të mirëpërcaktuara. Përbërësi siguron një objekt që një klient kërkon në kohën e ekzekutimit.
Në rastet kur një term i anglishtes del me disa kuptime, që shprehen në shqipe me fjalë të ndryshme, ai përsëritet si term më vete, i shoqëruar me një numër në kllapa: line (1) - linjë, line (2) - vijë, line (3) – rresht; home (1) – bazë, home (2) – faqe bazë, home (3) – shtëpi etj.
Po kështu, të shoqëruar me numra në kllapa, dalin disa terma të anglishtes të cilët janë me formë fonetike të njëjtë, por u përkasin pjesëve të ndryshme të ligjëratës: access (1) - qasem, access (2) – qasje; label (1) – etiketoj, label (2) – etiketë; link (1) - lidh (4), link (2) - lidhje (3) etj.
Ndonëse është bërë përpjekje maksimale që secilit term të anglishtes t’i përgjigjet një term i shqipes, kjo nuk është arritur për të gjithë termat. Në pamundësi për të gjetur një fjalë të veçantë që të mbulojë tërësisht kuptimin e termit dhe të shmangë përsëritjen, ka raste kur me një fjalë të shqipes të jenë përkthyer dy e ndonjëherë më shumë terma të anglishtes. Edhe në këto situata është përdorur mënyra e shoqërimit me numër pas termit të shqipes, kur ky del i përsëritur. rresht (1) – line, rresht (2) – row; gjendje (1) – mode, gjendje (2) – state etj.
Karakteristikë për një pjesë termash disafjalësh të anglishtes është se i njëjti term shfaqet i shkruar në disa forma, herë me fjalët ndaras, herë me vizë në mes e herë të bashkuara (sign in / sign –in; homepage / home page). Në fjalor këto jepen në një zë të vetëm, ku brenda shpjegimit vihet në dukje se mund jetë e shkruar edhe në forma të tjera, ndërsa në shqipe këta terma shfaqen me një formë të vetme, ndaj brenda në shpjegim nuk është e nevojshme të shtohet gjë:
Dokument që shërben si pikënisje në një sistem hipertekstual. Në rrjetin mbarëbotëror është faqja e hyrjes për një bashkësi faqesh të uebit dhe skedarë të tjerë në sajtin e uebit. Faqja bazë afishohet sipas parazgjedhjes kur një vizitor lundron në sajt duke përdorur shfletuesin e uebit.
Termat disafjalësh të anglishtes ndeshen shpesh në trajtën e shkurtesave. Përdorimi i shpeshtë i tyre ka bërë që ato të standardizohen si të tilla edhe në gjuhë të tjera, përfshirë edhe shqipen. Në fjalor termat disafjalësh dhe shkurtesat e tyre përkatëse dalin si zëra më vete, por vetëm termi i plotë shoqërohet me shpjegim, ndërsa shkurtesa referon te trajta e plotë e termit.
Rrjeti i zonës lokale
Rrjeti i kompjuterëve, i printerëve dhe i pajisjeve të tjera të vendosura brenda një zone relativisht të kufizuar (për shembull një ndërtesë). Ai aftëson çdo pajisje të lidhur për të ndërvepruar me çdo pajisje tjetër në rrjet.
Gjithashtu si shkurtesë LAN.
Rëndësia
Kjo nuk është përpjekja e parë për hartimin e një fjalori shpjegues për terminologjinë e informatikës, por, besojmë se është projekti më serioz dhe që mund të gjykohet si i suksesshëm. Shpresojmë që forcat shkencore të kombit tonë, që nuk janë në përpjesëtim të drejtë me detyrat e mëdha të kohës së sotme, të mos shpërndahen në shumë projekte të vogla dhe që në këtë projekt të përfshihen në të ardhmen edhe të tjerë, duke punuar hap pas hapi për zgjerimin e fjalësit, për plotësimin me kuptime të reja të termave ekzistues, pra për rritjen sasiore e cilësore të këtij fjalori.
Kriteret gjuhësore dhe terminologjia e standardizuar në këtë fjalor tashmë janë duke u përvetësuar nga të gjithë përdoruesit shqiptarë, sidomos përmes softuerëve të Microsoft-it. Në të gjitha produktet softuerike të Microsoft-it kjo terminologji është futur zyrtarisht dhe është baza themelore, bashkë me dokumentacionet e tjera të hartuara nga ne për lokalizmin e çdo softueri në gjuhën shqipe.
Një përkrahje dhe lehtësim në hartimin e këtij fjalori ka qenë edhe softueri i realizuar nga Alba-Soft-i, punëtorët e të cilit i falënderoj. “AS Redaktuesi i fjalorëve” është një platformë softuerike për hartimin e fjalorëve në internet nga një grup ekspertësh që mund të punojnë edhe në largësi, sado i madh që të jetë grupi. Ky softuer mund të përdoret nga çdo institucion shqiptar apo grup autorësh të fjalorëve dygjuhësh dhe siguron një efikasitet në punë.
Fjalori që kemi përpara është publikuar në formë elektronike edhe në internet. Versioni në internet mundëson kërkimin e shpejtë të termit apo të përshkrimit, komentimin nga lexuesi, kopjimin e përshkrimeve etj. Të gjithë ata që e konsiderojnë më praktik versionin elektronik, mund ta gjejnë në adresën www.gjuhashqipe.com
Në realizimin e të gjitha këtyre lokalizimeve ka marrë pjesë një numër jo i vogël gjuhëtarësh dhe informatikanësh, por pesha dhe përgjegjësia më e madhe e kësaj pune çdoherë ka qenë e gjuhëtareve Adelina Çerpja dhe Anila Çepani, të cilat, falë edhe përvojës në këto lokalizime, hartuan fjalësin e termave të informatikës, kryen një studim dhe vëzhgim të kujdesshëm të përkthimit në lokalizimin e sistemit operativ Windows 7 dhe paketës Office 2010, si dhe plotësuan me kuptime të tjera termat e fjalorit.
Së fundi për nga radha, por, jo nga rëndësia, u shprehim falënderimet tona në mënyrë të veçantë të gjithë bashkëpunëtorëve të Qendrës për Edukim dhe Përparim dhe gjithë përdoruesve të softuerëve tanë, të cilët na japin zemër të vijojmë projektet tona për të krijuar edhe për gjuhën shqipe mjete moderne informatike, që ndihmojnë për njohjen më të mirë të saj dhe për zbatimin sa më të plotë e të qëndrueshëm të normës letrare kombëtare. Puna jonë frymëzohet nga dashuria për gjuhën shqipe, për përparimin e saj dhe të kulturës sonë kombëtare.
Falënderim të veçantë u drejtojmë të gjithë miqve të gjuhës shqipe, punëtorë të Postës dhe të Telekomunikacionit të Kosovës që bënë të mundur botimin e këtij fjalori. Shpresojmë shumë që një mijë kopjet e dedikuara për ta do ta lehtësojnë punën e tyre të përditshme në fushën e telekomunikacionit.
Mirëpresim çdo koment, çdo vlerësim kritik dhe çdo sugjerim, sidomos kur e bëni drejtpërdrejt në internet, më qëllim që kjo vepër të përmirësohet në të ardhmen.
Faleminderit!
Në emër të Qendrës për Edukim dhe Përparim, si edhe të ekipit realizues.
Lulëzim Shishani
Nismëtar dhe udhëheqës i projektit për hartimin e Fjalorit të termave të informatikës
fjalor@gjuhashqipe.com
Si të paguani dhe sa kushton
Fjalori i termave të informatikës - FTI është në shitje me çmimin 20 euro për dy vite.
Pagesa mund të bëhet, në xhirollogarinë tonë në Prishtinë, ose në Tiranë apo në zyrat tona në Prishtinë ose në Tiranë.
Na kontaktoni në postën elektronike info@gjuhashqipe.com që t’ju japim numrin e xhirollogarisë. Nëse e keni më lehtë na kontaktoni në numrin e telefonit 044318282 për çdo gjë.
Udhëzimi për përdorim
Pas pagesës, e tëra që duhet të bëni është të regjistroheni në portalin www.gjuhashqipe.com dhe ju dhe tërë familja juaj mund ta përdorni Fjalorin e termave të informatikës drejtpërdrejt në internet, pa asnjë kufizim kohorë, apo rajonal, nga çdo kompjuterë kudo qoftë ai.