Mobile 1: +383 (0) 44 31 82 82

U mbajt tryeza Gjuha shqipe dhe kompjuteri

22.03.2014 | 16:58
U mbajt tryeza Gjuha shqipe dhe kompjuteri
Prishtinë, 25 maj - Qendra për Përparim dhe Edukim (QEP), sot ka mbajtur tryezën “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”. Në këtë tryezë morën pjesë anëtarë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave e Kosovës, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Qendra e Studimeve Albanologjike e Tiranës si dhe shumë personalitete të jetës kulturore e arsimore të Kosovës.
 
Në këtë tryezë u diskutua për softuerët e gjuhës shqipe (të cilët janë krijuar nga QEP në bashkëpunim me kompaninë softuerike “Alba-Soft”), si për AS Drejtshkrimorin 2.0, si mjet themelor për kulturën gjuhësore, përmirësimin dhe plotësimin e drejtshkrimorit të shqipes me programe shtesë, tastierën shqipe, ‘kullën e shqipes’, si pasqyrë e sistemit morfologjik të gjuhës shqipe; programin për abetaren digjitale etj.
 
Drejtori i Qendrës për Edukim dhe Përparim Lulëzim Shishani, tha se shumë nga këto programe janë realizuar me bashkëpunimin e ngushtë dhe të vyer edhe të institucioneve të tjera të shkencës shqiptare. Ai tha se zgjidhjet që u ofruan për disa probleme gjuhësore janë të bazuara në praktikat dhe përvojat e organizatave të rëndësishme që merren me gjuhësi kompjuterike, si ‘Microsoft’, ‘Amebis’, ‘Alba-Soft’ etj., madje testimet që u janë bërë këtyre softuerëve kanë treguar se niveli i tyre jo vetëm i shkallës teknike, por edhe i asaj gjuhësore është shumë i lartë.
 
“Veprimtaria e deritanishme gjuhësor dhe organizative mund të thuhet që përbën vetëm një fazë të këtij projekti, i cili s’ka qenë aspak i lehtë. Ka mbetur edhe shumë për t’u bërë, si në përparimin e këtyre softuerëve, ashtu edhe për krijimin e disa moduleve të reja, siç është ai për zgjidhjen e problemeve sintaksore, moduli për sinonimet etj. Ne mendojmë që gjuhësia kompjuterike është alternativa më e mirë, më frytdhënëse dhe me e përshtatshme në kushtet e sotshme për ruajtjen, begatimin dhe përparimin e gjuhës shqipe. Sa ka qenë vështirë dhe çfarë është sasia, por, edhe cilësia e punës sonë, dëshmon edhe botimi i kësaj krijimtarie në një libër, e që del të jetë libri më i madh në botë, jo vetëm për nga përmasat, por edhe nga përmbajtja që ka, sepse ‘Libri Gjigant” i ka 8 mijë faqe”, tha Shishani, duke shtuar se projekti “Gjuha shqipe dhe kompjuteri” ka synim të qartë: “Një komb, një gjuhë, një standard”. Ai tha se sot është e pamundur që një komb të paramendohet si i përparuar pa gjuhën e standardizuar.
Ndërsa Adelina Çerpja, bashkëpunëtore e QEP-it dhe anëtare e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë, foli për drejtshkrimorin e gjuhës shqipe. Ajo tha se programi për drejtshkrim AS 2.0 është një paketë profesionale softuerike, e dizajnuar në veçanti për gjuhën shqipe, e njëjtë me programet e gjuhëve të tjera në kuadër të Microsoft Office-it dhe në pajtim me programin operativ Microsoft Windows.
 
Ajo sqaroi se programi, jo vetëm nënvizon me të kuqe fjalët e shkruara gabim dhe bën korrigjimin automatik për shumë fjalë e trajta fjalësh, por ofron dhe mundësinë që përdoruesi të krijojë në kompjuterin e tij një fjalor të përshtatur me fjalët që nuk janë në program, por që ai i përdor shpesh (të cilat mund të jenë terma të fushave të veçanta, emra njerëzish ose vendesh, si dhe shkurtime të ndryshme etj).
 
“Megjithatë nuk mund të thuhet se puna me këtë softuer konsiderohet e përfunduar, ai është një softuer në zhvillim për sa kohë që ka në qendër gjuhën, e cila është gjithmonë në ndryshim, prandaj dhe gjatë gjithë kohës është punuar për përmirësimin dhe përditësimin e këtij softueri, punë që mund të përmblidhet në disa pika kryesore. Së pari korrigjimi i gabimeve të hasura gjatë përdorimit disavjeçar të softuerit. Këto mund të jenë gabime shpejtësie të bëra gjatë fazës së hedhjes së bazës së të dhënave, siç është rasti i emrit fodullëk, i cili në disa trajta del fudullëk, rasti i foljes zhdërvjellësoj, e cila ndryshe nga forma e duhur përfaqësuese, në format e tjera del me temën e gabuar zhdërvjelltëso-, ose fjalë për të cilat janë dhënë dy variante shkrimi, si smalt, por edhe *zmalt etj”, sqaroi ajo.
 
Programi kompjuterik për drejtshkrim në gjuhën shqipe AS 2.0 bën mbi 5 milionë korrigjime automatike të gabimeve të llojeve të ndryshme. Këto korrigjime automatike mund të grupohen në korrigjime të gabimeve që ndodhin për shkak të njohurive jo të mira gjuhësore dhe në korrigjime të gabimeve që ndodhin për shkak të shpejtësisë së shkrimit.
Në këtë tryezë QEP përuroi edhe “Fjalorin e Termave të Informatikës”, i cili përbëhet nga 3 mijë fjalë anglisht-shqip- anglisht. Hartimi më sukses i këtij fjalori dhe përfundimi më sukses i cilitdo nga nënprojektet e QEP-it, është bërë edhe në bashkëpunim me ekspertë të institucioneve të tjera shkencore, siç është Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë i Tiranës, ekspertë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, ekspertë të Alba-Softit etj. Botimi i Fjalorit të termave të informatikës, është bërë i mundur edhe me ndihmën financiare, të rëndësishme për ne, nga Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës. /gjuhashqipe.com/
List of videos
Top